Si është dollapi juaj sot?

adminBibla0 Comments

“Bëjini të vdesin gjërat tuaja tokësore: kurvërinë, ndyrësinë, epshet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari… Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse e keni e keni zhveshur njeriun e vjetër, bashkë me sjelljen e tij, dhe keni veshur njeriun e ri, që përtërihet vazhdimisht, sipas shëmbëllimit të Perëndisë që e krijoi, që ta njihni plotësisht Perëndinë.” Kolosianëve 3:1, 9-10.

Duke ndjekur këshillën e një mikut tim dhe duke vëzhguar stillin e dyqaneve të rrobave kam filluar të ndryshoj garderobën e veshjeve të mia. Blej rroba që nuk janë në sezon me çmim kostoje ose shumë më lirë se çmimi i sezonit.

Kush nuk i pëlqen rrobat e reja? Rrobat e reja jo vetëm që kanë erë të freskët (nëse nuk kanë qëndruar gjatë në magazinë), por ato duken të këndshme dhe në stil. Na bëjnë që të ndihemi ndryshe, më të lehtësuar, të jemi rehat me vete.

Por, dollapët tanë janë të mbushur me ato rroba që mendojmë se mund t’i veshim vetëm një ditë. Duhet një hap radikal për të bërë pastrimin e një dollapi të vërtetë sepse ne jemi të prirur për të mbajtur atë që është e rehatshme.

Pali përmes një tabloje në letrën drejtuar kishës në Kolose, na kujton se si duhet të duket jeta jonë e vjetër përkundrejt jetës së vjetër. Si besimtarë në Krishtin ne jemi ringjallur me të dhe duhet të kërkojmë ato gjëra që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë.

Prandaj, le të marrim pak kohë sot dhe vlerësojmë se çfarë është në “dollapin” tonë të sjelljeve. Ashtu si Kolosianët, ne kemi jetuar jetë të mbushur me mëkatet që Pali na i paraqet në këtë tablo:

“Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari.” (Kolosianëve 3:5)

Kjo listë përmban disa aspekte që i konsiderojmë teprime të mëdha. Edhe ndonjëherë është e lehtë të heqim dorë prej tyre, por “këmishat dhe pantallonat” që i veshim përditë, si zemërimi, keqdashja, shpifja, gjuha abuzive, gënjeshtra, janë më të vështira për të hequr dorë lehtë.

Jeta jonë, ashtu si dollapi ynë i rrobave, është i mbushur me rroba të varura aty, që na kujtojnë jetën e vjetër, përpara se të njihnim Krishtin. Merr një qese, pastroje dollapin, edhe hidhi tej rrobat edhe mëkatet që na kthejnë në jetën e vjetër.

Shko te “dyqani” i Fjalës së Perëndisë dhe blij rroba të reja, që të kesh një jetë të karakterizuar nga një zemër mëshire, mirësie, përuljeje, butësie e durimi.

Si është dollapi juaj sot?

Rreth Autorit
mm

Elton Manelli

Elton Manelli shërben prej 15 vitesh me Institutin "Jeta e Re", nga të cilat 7 me shërbesën e shkollave të mesme (Të Rinjtë në Prag të Jetës) dhe në 8 vite me fillimin dhe zhvillimin e dy kishave lokale në Tiranë. Aktualisht është i përkushtuar për të ndihmuar fillimin e kishës së tretë. Zoti ka vendosur në zemrën e tij një dashuri dhe përkushtim të veçantë për kishën lokale. Bashkë me gruan e tij Oltën, janë prindër të dy fëmijëve.

E mirepresim komentin tuaj...