Si për Zotin, jo për njerëzit…

adminDhiata e Re2 Comments

“Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit” Kolosianëve 4:23-24.

Ajo është vajzë e re, e aftë dhe me shumë pasion. Mezi po priste të fillonte punë si infermiere. E caktuan në një fshat të thellë, në një nga zonat më malore të vendit. Por nuk është e zhgënjyer. Madje ka një qëndrim shumë inkurajues që nuk e gjen në mjaft të rinj. Dhe vështirësitë nuk i mungojnë. Po punon në një nga ato zonat që ne e quajmë “të humbura”. E vetme në një ambulancë. Për t’ju shërbyer një komuniteti të madh. Pa ngrohje e pa drita shpeshherë. Një vajzë e re duke sakrifikuar, ndërsa miqtë e saj janë larguar prej andej me kohë.

Po bisedonim bashkë një ditë. Edhe më ngelën në mendje fjalët e saj: “është e vështirë shpeshherë t’ju shërbej njerëzve që janë të pasjellshëm me mua. Megjithatë Perëndia ka qenë duke më kujtuar shpesh përmes Fjalës së Tij, se unë duhet ta bëj gjithçka si për Atë dhe jo si për njerëzit”.

Jam e sigurtë që shumë prej nesh do ti sygjeronim “ah, lëre fare, kthehu në Tiranë, gjej ndonjë punë çfarëdo, veç atje mos rri”.

Por ajo ka zgjedhur të bëjë punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme. Po mundohet të bëjë diçka e motivuar nga pasioni për Zotin më shumë sesa për pëlqimin e njerëzve.

Ndoshta jemi në situata ku s’na pëlqen eprori, mbase as puna që bëjmë, mbase s’na pëlqejnë as njerëzit të cilëve ju shërbejmë… Mund të kemi arsye! Por në të gjitha rrethanat, na kërkohet besnikëria! Ta bëjmë gjithçka si për Zotin, jo për njerëzit.

Ku të ka vendosur Perëndia? Në ministri? Biznes? Në arsim? Te pastrimi i rrugëve? Në shtëpi duke u kujdesur për kalamajtë?

Aty ku je, bëj më të mirën, jep më të mirën, për hir të Perëndisë dhe Fjalës së Tij. Bëjë për hir të Perëndisë. Dhe ai do të kujdeset për dëshminë tënde ndër njerëzit.

Të punosh për Perëndinë është në fund të fundit një lloj motivimi i brendshëm që i tejkalon rrethat e punëve që bëjmë. Siç e shprehu mirë Martin Luther King:

“Nëse dikë e ka thirrur Zoti të jetë pastrues rrugësh, ai duhet të pastrojë me të njëjtin pasion me të cilin pikturoi Mikelanxhelo, ose kompozoi muzikë Bethoveni, ose pasionin me të cilin Shekspiri shkroi poezi. Ai duhet t’i pastrojë rrugët aq mirë sa banorët e qiellit e të tokës, të ndalojnë e të thonë, këtu jeton një pastrues fantastik që e bën mirë punë e tij.”

Shkëlqefshim aty ku Perëndia na ka vendosur!

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

2 Comments on “Si për Zotin, jo për njerëzit…”

E mirepresim komentin tuaj...