Si t’ia dalësh me “pushimet” e koronavirusit…

Admin 2Dhiata e Re0 Comments

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.” Ungjilli i Mateut 11:28

Këto “pushimet” e koronavirusit janë si një fundjavë e stërgjatë për ne mamat. Të paktën fundjavën e shijon, pasi të ka marrë malli t’i kesh fëmijët në shtëpi dhe të bësh gjëra si familje, por e di që të hënën do rikthehen në shkollë/kopësht dhe do kesh mundësi të pushosh pak apo t’i rikthehesh rutinës së përjavshme. Kurse kështu është si një fundjavë pa mbarim. 

Të them të drejtën, kur doli lajmërimi që fëmijët do ishin në shtëpi për të paktën dy javë, u drodha pak. Si çdo mami, edhe unë i dua fëmijët e mi dhe kënaqem duke kaluar kohë me ta. Por ideja që do të ishin në shtëpi për një kohë kaq të gjatë, më trembi pak. Po si do ia bëjmë? Të gjithë bashkë, brenda, 24 orë pa pushim? Çfarë mund të bëjë më parë një mami? Lista është e gjatë, duke filluar nga punët e shtëpisë (të cilat, të gjitha e dimë se sa zgjasin kur ke fëmijët nëpër këmbë), gatimi pa pushim i të treja vakteve të ditës, zbavitja e fëmijëve që të mos ndihesh në faj se po i lë shumë kohë para televizorit apo mjeteve elektronike, detyrat e shkollës, kohë cilësore me bashkëshortin, orët e punës (për mamat që vazhdojnë të punojnë) dhe në fund, ndoshta të ngel pak kohë për një dush për vete. Kjo situatë nuk është e lehtë për askënd, aq më tepër për mamat me fëmijë të vegjël në shtëpi. 

Përgjegjësitë e vazhdueshme duken sikur të marrin frymën. Nuk e di si ka qenë java e parë e izolimit për ty, por nëse je ndjerë e rraskapitur dhe e lodhur fizikisht dhe emocionalisht, nuk je e vetmja!

Freskohu tek burimi

Jezusi thotë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.” (Mateu 11:28) Çfarë premtim i mrekullueshëm! Një nga sfidat këtë javë ka qenë të gjej pak kohë për të lexuar Biblën apo për t’u lutur. Pavarësisht dëshirës së mirë, praktika ka lënë për të dëshiruar. Dhe nuk ka problem. Jo gjithmonë do të kemi mundësi të kalojmë kohë të gjata dhe të pandërprera me Zotin. Disa herë (aq më tepër në ditë si këto që po kalojmë) mjafton të zgjedhim një varg dhe të meditojmë rreth tij gjatë ditës. T’a mësojmë përmendësh, apo t’a shkruajmë në një letër dhe t’a vendosim tek pasqyra, dhe t’ia kujtojmë vetes herë pas here. Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese dhe kemi për t’u surprizuar nga efekti që do të ketë qoftë edhe një varg i vetëm, në ecurinë e ditës sonë.

Zgjidh një varg inkurajues, që të jep forcë dhe të kujton besnikërinë e Zotit dhe medito rreth tij këtë javë. Bëje lutjen tënde dhe kujtoji vetes se Perëndia i universit të sheh dhe të do, dhe Ai është burimi dhe rigjeneruesi i forcës sonë!

Fikso prioritete

Unë kam një pritje jo realiste që nëse pastroj diçka ajo do të qëndrojë e pastër. Si rrjedhim, zhgënjehem dhe inatosem kollaj kur shtëpia e sapo pastruar, bëhet rrëmujë brenda fare pak minutash. Në kapacitetin tonë të limituar, është qesharake të mendosh se mund të bëjmë çdo gjë gjithë kohën. Duam apo nuk duam, disa gjëra do të ngelen pa bërë, ose nuk do i bëjmë dot aq mirë sa duam.

Cili është prioriteti yt si mami për këtë javë jo të zakonshme? 

Dikush ka thënë: “Fëmijët nuk janë shpërqëndrim nga një punë më e rëndësishme. Ata janë puna më e rëndësishme!” Një gjë që unë dua t’a bëj më mirë këtë javë është të luaj më shumë me fëmijët. Punët e shtëpisë do të jenë gjithmonë aty, por kjo kohë e çmuar dhe ky rast i veçantë për t’i ndikuar fëmijët tanë nuk e di kur do të përsëritet. Nëse mendon se vetem ne të rriturit jemi të stresuar nga e gjithë kjo situatë, po harron se fëmijët janë po aq të ndikuar dhe të stresuar. Për shkak se fëmijët janë një prioritet për mua, dua që në ditët në vazhdim të jem më e qëllimshme për t’i dashur më shumë, t’iu buzëqesh më shpesh dhe të luaj me ta. Palosja e rrobave, apo fshesa mund të presin edhe pak!

Fokusohu tek pozitivja

Në fund të fundit, këndvështrimi bën ndryshimin. Nëse përqëndrohemi tek gjërat negative të kësaj situate, lista do të jetë shumë e gjatë. Por për çfarë do të na shërbente? A do të zgjidhnim gjë? Asnjë gjë. Përkundrazi, do të humbisnim këtë rast të veçantë që kemi përpara. Të ndikojmë dhe investojmë në jetën e fëmijëve tanë në një mënyrë të veçantë. Por a ka gjëra pozitive në mes të koronavirusit? Unë mendoj se po! Për veten time ka qenë çlodhës fakti që nuk na është dashur të nxitojmë çdo ditë në mëngjes për t’u bërë gati për në shkollë/kopësht, apo në darkë për të fjetur në kohë që të zgjohemi në orar ditën tjetër. Javën që shkoi kemi bërë më shumë gjëra në shtëpi si familje se sa kemi bërë gjithë vitin që shkoi. Kemi shpikur lojëra qesharake dhe shumë të thjeshta, por përmes së cilave jemi kënaqur të gjithë. Jemi më shumë mirënjohës për diellin, natyrën dhe vendin ku jetojmë. Ka gjithmonë gjëra pozitive, mjafton të ndryshosh këndin e vështrimit!

Zoti ka arsye të cilat nuk do i dimë ndonjëherë (dhe nuk kemi nevojë t’i dimë) përse Ai po e lejon këtë situatë jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Por ajo që dimë ështe se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. (Rom. 8:28) Duke ditur këtë, le të zgjedhim të jemi më të qëllimshme me fëmijët tanë këtë javë, duke qenë shembull i dashurisë së Perëndisë, dhe të investojmë në jetën e tyre duke pasur në mendje se një rast i tillë (që jemi 24 orë me ta, të mbyllur brenda) ka gjasa (dhe dashtë Zoti nuk ka nevojë) të mos përsëritet. 

Photo by Kelly Sikkema on Unsplash

Rreth Autorit
mm

Arteida Mjeshtri

Arteida Mjeshtri ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Punon me stafin e Institutit Jeta e Re (IJR) e fokusuar te lidhja me të rinjtë përmes fushës digjitale. Më përpara ka punuar me studentët në Sarajevë (Bosnje) për shtatë vite. Ka pasion fotografinë. Është e martuar me Azganin dhe mama e tre fëmijëve.

E mirepresim komentin tuaj...