Të vraposh me siguri fitoreje…

adminBibla, Dhiata e Re0 Comments

“A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni. Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet. Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën; madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.” I Korintasve 9:24-27

Lojërat olimpike dimërore – ngjarja më e madhe sportive botërore e këtij dimri – sjellin gjithmonë surpriza që bëjnë lajm që qarkullon në gjithë stacionet televizive të botës. Komentuesi i Eurosport, e quajti fitimin e medaljes së artë nga skiatorja çeke Ledecka në garën e Super Sllallomit për femra, si “rezultati më befasues në historinë e lojrave olimpike dimërore.”

Ndërsa Ledecka po garonte, skiatorja austriake po jepte intervistat e fitores. Askush nuk po priste, që një skiatore me një specialitet tjetër olimpik, që po konkuronte në këtë garë për pasion, mund të renditej në dhjetëshen e parë, e jo më të mund të fitonte vendin e parë, me një diferencë prej o.o1 sekondash nga rivalja. Edhe vetë fituesja, dallohet në kamera, duke parë me mosbesim rezultati. Nuk iu besonte dot syve. Më vonë, ajo u shpreh që kishte përshtypjen se kishte një gabim në matje.

Por u befasova kur dëgjova intervistën e saj pas fitores.

  • A e kishit menduar ndonjëherë fitoren?
  • Ishte surprizë. Por patjetër që kur garoj, bëj më të mirën time edhe synoj të fitoj.

Askush nuk garon për të dalë i fundit.

Apostulli Pal, në përforcim të stilit të tij të jetesës që kishte si synim të ndikonte gjithkënd me Ungjillin, theksoi se e kishte përkushtimin për ndikimin me Ungjillin, të ngjashëm me përkushtimin e një atleti që konkuron për ta mbaruar garën i pari.

Ne jemi në garën për ti përcjellë Lajmin e Mirë të Jezusit një bote që dergjet në nevojë për një lajm të mirë. Nuk punojmë si dështakë pavarësisht nga reagimi. Nuk heqim dorë së bëri më të mirën tonë, pavarësisht nga reagimi i dëgjuesve.

Sa shumë e kontrollon veten një atlet? Në rastin e Ledeckës, edhe një atlete që nuk po konkuron në garën e saj më të fortë, dorëzon gjithçka që ka për të marrë një çmim.

Ne, në fjalët e Apostullit Pal, vrapojmë për një medalje shumë më të çmuar, një medalje që ka vlerë për përjetësinë. Ka mundësi që shumë shpejt, një komentator tjetër diku, do të surprizohet nga një rezultat tjetër olimpik, në një garë tjetër, e do të thotë që kjo është “gara më befasuese e të gjitha olimpiadave dimërore.”

Por medalja jonë, në kërkim të shpirtrave të humbur, do të jehojë në përjetësi…

Shpeshherë, ndihem sikur jam futur në garë për t’ia kaluar dikujt tjetër. Nuk i kam sytë te finishi – te medalja e vlefshme për përjetësinë – por te bashkëvrapuesit, që në mendjen time, ndoshta po “vrapojnë” më ngadalë se unë. A nuk kam bërë më shumë se të tjerët?

Në raste të tjera, ndihem sikur nuk jam i denjë për një garë të tillë. Unë, megjithë problemet që kam – përtacinë, mungesën e disiplinës, lodhjen, mërzitjen, humbjen e durimit, e plot mangësi të tjera – të jem i denjë për një garë ku prezantohet Ungjilli i Jezusit? Shpresa e botës të varet nga cilësia e garës sime? A nuk jam i dobët më shumë se të tjerët?

Një garë fitohet nga vendosmëria për t’u stërvitur siç duhet dhe nga gadishmëria për të bërë më të mirën. Një garë fitohet nga mbajtja e syve drejt objektivit – një medalje që ia vlen sakrificën e mundimshe.

Le të vrapojmë duke i mbajtur sytë te çmimi dhe jo te garuesit e tjerë. Kur jemi në garë nuk ka më kohë për të menduar për dobësitë. Nëse jemi lajmëtarët e Jezusit, tashmë jemi të kualifikuar. Le të vrapojmë duke besuar në aftësitë e Atij që na ka dorëzuar një mision kaq fisnik për të përmbushur.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...