Të bësh diçka që e urren…

adminDhiata e Re0 Comments

 

Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë, në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur. Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.” II Korintasve 11: 24-28

Thoma Akuini (Thomas Aquinas) është një nga teologët dhe filozofët e krishterë që ka hedhur themelet e krishtërimit perëndimor. Autor i shumë librave dhe një nga emrat më të vlerësuar të kishës katolike, por me ndikim përtej kishës së tij, u bë i njohur jo vetëm për shkrimet por edhe për pasionin për kishën dhe devotshmërinë ndaj Krishtit. Dëgjova një histori rreth tij – që s’ka lidhje me sa shumë libra ka shkruar, as me kryeveprën e tij “Përmbledhje e teologjisë” as me predikimet e tij – por me “urrejtjen e tij” për udhëtimin. Thuhet se ishte i bëshëm nga trupi edhe udhëtimet nuk i kishte të thjeshta. Por, për shkak të dëshirës së tij për të ndikuar, gjatë gjithë jetës së tij, udhëtoi rreth 16000 km gjatë jetës së tij, për të vizituar kishat, për të predikuar dhe për të ndikuar kishën. Gjatësia e supozuar është e barazvlefshme me 4 udhëtime nga lindja në perëndim të Amerikës!

16000 km në mesjetë? Me siguri  kishte rrugë të mira në mesjetë, për shkak të sfondit romak dhe përkushtimit të romakëve për të ndërtuar rrugë të mira në perandorinë romake të kohës, por përsëri, 16000 km është distancë e jashtëzakonshme.

E gjitha kjo, kur thuhet për të, se e urrente udhëtimin. Nuk donte të lëvizte nga një vend në tjetrin. Më kujtoi përkushtimin e Palit, ndërsa po mbronte autoritetin e tij apostolik përpara kishës në Korint, edhe përshkruan një pjesë të mundimeve të tij në shërbimin e tyre. A donte Pali të kalonte përmes këtyre vështirësive?

 

“Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një. Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë. 26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë, në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur. Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.” II Korintasve 11: 24-28

Kam prirjen të mendoj, e ndoshta nuk jam i vetëm, se, përkushtimi im ndaj Zotit duhet të jetë i fokusuar në atë që DUA të bëj, më shumë sesa atë që DUHET bërë.

A jam gati të bëj diçka që e urrej – që ndoshta nuk e pëlqej shumë, që nuk kam dëshirë ta bëj, për shkak të ungjillit?

Oh, edhe një informacion tjetër për Akuinin… Historianët thonë që ai ishte jashtëzakonisht i përulur. Madje, ishte pjesë e filozofisë së tij, që shkrimet nuk duhet të nxjerrin në pah autorin, por Krishtin. Nuk duket se Akuini udhëtoi për të “shpërndarë” aftësitë e tij të jashtëzakonshme në oratori e në predikim.

Si Apostulli Pal, ai ka një përkushtim të jashtëzakonshëm për të vërtetën, aq sa është gati të udhëtojë pa pushim, për të treguar të vërtetën. Edhe për shkak të urdhërit të cilit i përkiste, nuk ishte njëri prej tyre, që do të kishte përfituar të mira materiale nga udhëtimet e tij.

Nuk po udhëtonte për të përfituar për veten e tij. Po udhëtonte për të treguar të vërtetën.

A jam gati të bëj diçka që s’dua ta bëj, por që duhet bërë për shkak të ungjillit?

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...