Të fillosh me aq sa ke!

Lavdi KaroshiDhiata e Vjeter0 Comments

“Boazi iu përgjegj duke thënë: “Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë. Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perëndisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!” Ruthi 2:11-12

Ndërsa viti i ri nis, nisin rrugën e tyre edhe mendimet se çfarë ke lënë prapa apo se çfarë të pret përpara.

Shpesh herë unë dua ta nis nga e para, me gjëra krejt të reja, objektiva të reja, synime të reja. Pavarësisht se disa herë kam dështuar të arrij gjithçka kam vendosur si objektiva, prapë më pëlqen idea të vë disa gjëra përparësi. Ndonjëherë më duhet t’i kujtoj vetes se vetëm vendosja e disa objektivave nuk mjafton. Çdo fillimviti duhet ta nis me atë që ka mbetur nga viti i kaluar.

Libri i Ruthit flet për një udhëtim gjithashtu. Historia e saj më bëri të mendoj për veten; si jetoi ajo një jetë me besim në mes të së panjohurës? Nuk kishte objektiva për vitin, nuk kishte shkruar qëllime; përpara saj vetëm një grua, vjehrra e saj, e dëshpëruar nga humbjet dhe Perëndia.

Ruthi sapo kishte humbur burrin, lidhjen e vetme që kishte me këtë familje nga Betlehemi i Judesë. Kishte humbur edhe vjehrrin dhe kunatin. Ngelën vetëm tre gra. Vjehrra u ngrit për t’u kthyer në vendlindje. Nuk kishte asgjë për të në Moab. Ndërsa vjehrra i luti nuset që të vazhdojnë jetën e tyre, Ruthi nuk e braktisi si nusja tjetër. Ajo e kishte vendosur që nuk do ta braktiste vjehrrën.

“Por Ruthi u përgjegj: “Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im; aty ku të vdesësh ti do të vdes edhe unë, dhe atje do të më varrosin. Kështu të veprojë me mua Zoti, bile edhe më keq, në rast se veç vdekjes ndonjë gjë tjetër do të më ndajë prej teje!” Ruthi 1:16-17   

Të dyja e nisën udhëtimin drejt Judesë. Nuk e dinte as ku po shkonte, as se çfarë e priste.Të vetmen gjë që kishte ishte vjehrra e saj dhe Perëndia.

Zoti kujdeset më vonë për ta ndryshuar fundin e kësaj historie në një fund të lumtur. Por përpara ndryshimit, dallojmë qartë se Ruthi është besnike me gjërat që i ka besuar Perëndia. Ajo nuk e braktis vjehrrën, fillon të punojë që të sigurojë bukën e gojës për vete dhe për Naomin; është e përulur dhe e bindur, dhe e pret shprërblimin e saj nga Perëndia. Boazi, pronari i tokave ku Ruthi mbledh kallinj, habitet se si një vajzë si ajo ka lënë gjithçka pas.

Ndaj nuk i kurseu lëvdatat për Ruthin. 

“Boazi iu përgjegj duke thënë: “Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë. Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perëndisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!”. 

Ruthi martohet me Boazin. Lind një bir, i cili do të ishte gjyshi i mbretit të madh David.

Ruthi e nis udhëtimin e saj duke ndjekur një grua të moshuar dhe të dëshpëruar por për shkak të besimit të saj Perëndia e shpërblen përtej imagjinatës.

Lutem dhe shpresoj, ndërsa duam të njohim dhe adhurojmë Perëndinë më shumë me jetët tona, që më së pari të kemi besim për të ndjekur Perëndinë në rrethana apo vende që as i kemi imagjinuar.

Mbase do kthehen gjërat për më mirë, mbase dhe mund të humbasin në disa fusha të tjera,  por ndjekja e vullnetit të Perëndisë do të jetë fitorja jonë.

Duke mos i mbajtur sytë në atë cfarë kemi lënë pas por duke parë përpara në atë cfarë Perëndia ka përgatitur për ne, le të gjendemi besnikë në gjërat që na janë besuar.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...