Të folurit… për të ndërtuar

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat”. Fjalët e Urta 16:24

Një autor anonim ka thënë se, fjalët mund të thyejnë dikë në njëmijë copa, por ato mund ta bashkojnë përsëri bashkë. Fjala, pjesa thelbësore e komunikimit mes nesh. Një tingull, disa tinguj, por me shumë ndikim te zemra jonë.

Libri i Fjalëve të Urta në Bibël flet për disa lloj fjalësh: të ëmbla, të mira, therëse, të hidhura, të menduara, të pamenduara, të thëna në kohën e duhur, e të thëna kur s’duhet, fjalë të shumta ku faji nuk mungon. Dhe ia vlen të hedhim një sy mbi fjalët që na shërbejnë për të ndërtuar njëri-tjetrin.

Kush nuk do të donte fjalë të ëmbla?

“Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat” Fjalët e Urta 16:24

Unë nuk i pëlqej shumë ëmbëlsirat – por fjalët e ëmbla më shijojnë shumë. I kujtoj edhe sot, fjalët që më kanë ëmbëlsuar që nga fëmijëria. Ato m’i thoshte shpesh motra ime. Fjalët e saj ishin inkurajim, ishin komplimenta, ishin nxitëse. Ajo u martua kur unë isha në klasën e tretë dhe ndjeva dhimbje që do ishte në një shtëpi tjetër, megjithëse jo shumë larg. Kur u kthye nga pushimet, një ditë, në mëngjes herët, shkova poshtë shtëpisë së saj të re. Po qëndroja larg, me shpresën se mund ta shikoja në dritare. Kisha ndrojë të afrohesha më shumë. Isha e mërzitur që ajo do të jetonte aty. Motra doli në dritare. Më pa. Më thirri. Më kishte marrë malli për të. Vrapova për ta takuar. Mezi po prisja t’i tregoja si isha. Ta dëgjoja. Për nëntë vitet e tjera pasuese, derisa mbarova gjimnazin, vrapoja shpesh për te shtëpia e saj pas mësimit, që të mund të dëgjoja fjalët e ëmbla prej saj. Ajo, si gjithmonë, vazhdon të më nxisë me fjalët e saj nxitëse edhe sot.

Një fjalë e mirë mund të na ndryshojë rrjedhën e gjithë ditës.

“Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë”. Fjalët e Urta 12:25

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është jetëgjatë”, thotë Nënë Tereza. Edhe sipas një fjalë të urtë japoneze, fjalët e mira mund të të ngrohin në tri muajt e dimrit. Sa privilegj është që kemi mundësi përmes një fjale të mirë, të ngremë në këmbë një mik të rrëzuar nga shqetësimet e kësaj bote.

Dhe shpesh, e nxisim një mik a një mikeshë, duke folur në kohën e duhur, sipas nevojës. “Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollë të arta mbi një enë argjendi” Fjalët e Urta 25:11.

Më pëlqen shumë e arta me ngjyrën e argjendtë. Duket një pikturë e bukur në imagjinatën time. Kur flasim në kohën e duhur për të ndihmuar dikë në nevojë, kemi pikturuar një imazh mbresëlënës në jetën e dikujt, ashtu siç na kënaqet syri me mollët e arta në enë argjendi.

Edhe urtësia jonë popullore na nxit të gjejmë kohën e duhur për të folur kur thotë: “mat shtatë herë dhe pri një herë”. Të matemi përpara se të flasim. Të mendojmë para se të flasim. “Kush flet pa menduar është si ai që shpon me shpatë.” (Fjalët e Urta 12:18). “Ndërsa zemra e të drejtit mendon thellë si duhet të përgjigjet.(Fjalët e Urta 15:28).

Urtësia e Perëndisë na fton gjithmonë që t’i qerasim të afërmit e miqtë, të rënduar nga shqetësime, me “mollë të arta, mjaltë e gëzim”.

Rreth Autorit
mm

Irida Zerani Hoxha

Irida Zerani Hoxha është nga Prrenjasi. Është diplomuar për Matematikë në Universitetin e Tiranës. Pas diplomimit iu bashkua stafit të Institutit "Jeta e Re". Ka punuar me të rinjtë në Tiranë, Shkodër, Prishtinë dhe me grupin e Strategjive Digjitale. Aktualisht është pjesë e një grupi të IJR-së që po punon për fillimin e një kishe të re. Irida është e martuar dhe ka tre fëmijë. Përveç matematikës i pëlqen letërsia dhe në kohën e lirë angazhohet edhe me MOPS, një lëvizje që synon të mbështesë dhe inkurajojë nënat e reja.

E mirepresim komentin tuaj...