Të fortët e botës… dhe Mbretëria e Perëndisë!

adminDhiata e Vjeter0 Comments

Ti ishe duke shikuar, o mbret, dhe ja një figurë e madhe; kjo figurë e stërmadhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, ngrihej para teje me një pamje të tmerrshme. Koka e kësaj figure ishte prej ari të kulluar, gjoksi i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj prej bronzi, këmbët e saj prej hekuri, këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile. Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi. Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre. Por guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën. Kjo është ëndrra; tani do të japim interpretimin përpara mbretit. Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve, sepse Perëndia i qiellit të ka dhënë mbretërinë, pushtetin, forcën dhe lavdinë. Ngado që të banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, ai i ka lënë në duart e tua dhe të ka bërë të sundosh mbi gjithë ata. Ti je koka e artë. Mbas teje do të dalë një mbretëri tjetër, më e vogël, më e ulët nga jotja; pastaj një mbretëri tjetër prej bronzi, që do të sundojë mbi gjithë dheun. Mbretëria e katërt do të jetë e fortë si hekuri, sepse hekuri copëton dhe thërrmon çdo gjë; ashtu si hekuri që copëton, kjo mbretëri do t’i copëtojë dhe do t’i thërrmojë tërë këto mbretëri. Siç e pe, këmbët dhe gishtërinjtë ishin pjesërisht prej argjile poçari dhe pjesërisht prej hekuri, kështu kjo mbretëri do të ndahet; megjithatë, ajo do të ketë fortësinë e hekurit, sepse ti ke parë hekurin të përzier me argjilë të butë. Dhe ashtu si gishtërinjtë e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile, kështu ajo mbretëri do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë. Siç e pe hekurin të përzier me argjilën e butë, ata do të përzihen nga fara njerëzore, por nuk do të bashkohen njeri me tjetrin, pikërisht ashtu si hekuri nuk amalgamohet me argjilën. Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë, pikërisht ashtu siç e pe gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, për të copëtuar hekurin, bronzin, argjilën, argjendin dhe arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit atë që ka për të ndodhur tani e tutje. Éndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i sigurt”.  Danieli 2:31-45

Kur përtyp ushqimin e mediave sot, gjithandej nëpër botë, stomaku të trazohet nga ideja se ndjekësit e Jezusit po përndiqen si kurrë më parë. E po vihen në rrezik. Të duket sikur në konfliktin global mes perëndive të kësaj bote (lexo: udhëheqësit e shteteve që ushtrojnë autoritet sikur ata janë të pavdekshëm!) dhe Perëndisë së vërtetë, duket, sikur të parët, kanë fuqi të pakufizuar, për të dëmtuar ndjekësit e Jezusit. Duket sikur kanë fuqi të tallen e të përçmojnë të krishterët gjithandej në botë.

Të krijohet pamja, gjithmonë nga ajo që shikojmë në ekrane, se në Lindje të krishterët po vritet e po frikësohen; në Perëndim, sikur po tuten gjithmonë e më shumë në emër të një tolerance të rreme.

Por, një lexim i Biblës, na nxjerr në pah një realitet tjetër, të parashikuar mijëra vite më përpara… Ca histori biblike na tregojnë një rrjedhë tjetër të pritshmengjarjesh…

Në shekullin e 7-të para Krishtit, një djalë adoleshent hebre, ishte marrë rob në Mbretërinë e madhe të Babilonisë, kur kjo e fundit ishte në kulmin e fuqisë së saj. Dhe një ditë, Mbreti i Babilonisë, kërkon prej të urtëve të tij, që edhe t’ia interpretojnë ëndrrën që kishte parë, por të urtët duhet ta gjenin vetë edhe ëndrrën e mbretit… si një provë për vërtetësinë e parashikimit të tyre.

Kush mund ta gjejë edhe ëndrrën edhe interpretimin? Zoti vetë, që di të kaluarën edhe të ardhmen, e dinte kuptimin e ëndrrës. Edhe ia tregoi Danielit ëndrrën dhe interpretimin. Dhe ky i fundit, ia tregoi mbretit. Në ëndërr mbretit iu shfaq ishte një statujë gjigande, me kokë prej ari, gjoksi dhe krahët prej argjendi, barku dhe kofshët prej bronzi, dhe këmbët prej hekuri dhe argjile. Dhe një gur i hedhur, jo nga dora e njeriut, e qëlloi statujën. Statuja u zhduk. Ndërsa guri u bë një mal i madh që mbushi tërë tokën. Kjo ishte ëndrra.

Interpretimi: Danieli i thotë mbretit të Babilonisë që statuja pasqyronte mbretëritë e mëdha të botës, duke filluar me Babiloninën, me Persinë, Greqinë e Aleksandrit e në fund me Romën. Dhe në kohën e Romës, një mbretëri tjetër do të shfaqet, një mbretëri që nuk do të marrë fund kurrë…

Disa kritikë e kanë të vështirë ta besojnë që Danieli e ka shkruar këtë histori 6 shekuj përpara ardhjes së Jezusit. Në atë kohë, Babilonia ishte një realitet në strukturën e popujve, por Persët, Aleksandri i Greqisë me fuqinë e tij ushtarake, e për më tepër Perandoria e madhe e Romës, nuk i parashikonte dot askush… asnjë njeri i urtë, përveç Perëndisë.

Për ne sot, është e lehtë të kthejmë kokën prapa, edhe të shikojmë se si këto ngjarje të parashikuara kanë ndodhur ashtu siç janë parashikuar! Por ndonjëherë e kemi të vështirë të mbajmë mend, se pavarësisht se nuk e dimë qartë se cilat mbretëri do të marrin fuqi mbi gjithë botën për një farë kohe, të paktën e dimë se mbretëria e Perëndisë, është guri i hedhur jo nga dorë njeriu që do të bëhet një mal që do të mbushë gjithë tokën… Jezusi, që e filloi mbretërinë e tij, duke sakrifikuar veten në kryq, në mënyrë që kushdo që e ndjek atë, të bëhet pjesëtar i kësaj mbretërie, akoma është në fron… Dhe në fund vetëm Mbretëria e Tij do të vazhdojë përjetë.

Në lajme duket se mbretëritë e kësaj bote do të jenë të përjetshme. Por nën lenten biblike, ne do të shikojmë me sytë tanë, rënien e një pas njëshme të të gjitha mbretërive të përkohshme të kësaj bote… Ndoshta nuk i shikojmë dot të gjitha, ashtu si Danieli pa vetëm rënien e Babilonisë dhe parashikoi rënien e Persisë (Danieli 11). Por, Perëndia i tha atij të priste me besim, derisa të vijë koha…

Deri atëherë, le të vazhdojmë të jetojmë si qytetarë të mbretërisë së Perëndisë!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...