Të kesh nën kontroll kohën

adminDhiata e Re0 Comments

“Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve… Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë! Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë,” ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet. Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.” Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe. Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.” Jakobi 4: 7-8, 10, 13-17

E shikoni datën dhe orën në foto?

E fotografova atë moment, sepse pikërisht në një të martë si kjo e kësaj jave, afërsisht në njëmbëdhjetë e pak minuta të paradites – siç më ka treguar mami se unë nuk mbaj mend shumë mirë – kam ardhur në botën që njohim.

Një pjesë e kohës sime të deritanishme nuk ka qenë e lehtë. Njëherë, nga tregimet e të tjerëve, se gjithashtu nuk mbaj mend, kur isha vetëm nëntë muajsh, kam gjetur një kanal uji, mjaftueshëm për të më marrë jetën. Por kam shpëtuar duke i mbajtur duart fort në fijet e barit.

Herën tjetër, këtë radhë, mjaftueshëm i madh për ta përjetuar tmerrin, kam shpëtuar nga një operacion i çasteve të fundit, aq sa edhe sot, e kujtoj siluetën e bluzave në të bardhë që më mbanin me zor, se operacioni kishte filluar tashmë. Dhe nga e bardha në të zezë… e prapë në të bardhë, ia dola edhe njëherë.

Dhe pastaj qetësi. Rehati. Nuk kisha nevojë të shikoj doktorë për një kohë të gjatë. Akoma nuk jua kam ndjerë nevojën.

Cila është domethënia e jetës së njeriut? A duhet të luftoj, me mish e me shpirt, me gjithë forcën e vetes, duke dhënë gjithçka kam, në mënyrë që të fitoj ca ditë të rehatshme? Pa sëmundje e pa brenga? Pa dhimbje? A duhet të dorëzohem e të lë jetën të rrjedhë, nën dorën e fuqishme të fatit a të paktën, nën modelin e jetës së të tjerëve?

As njëra, as tjetra!

Jakobi, na sygjeron një rrugë tjetër.

Rruga e duhur është dallimi i dorës së Perëndisë, që kontrollon rrugën e një njeriu në këtë realitet – duke përfshirë edhe rrugën e atyre njerëzve që akoma s’e dallojnë praninë e Tij!

Të gjitha zgjedhjet që na nxisin të kontrollojmë ditët tona janë modeli i arrogancës, pikërisht modeli i arrogancës që Jakobi na sygjeron të mos e përdorim si material për mburrje.

Nuk i dimë të gjitha përgjigjet, por dimë mjaftueshëm sa të kuptojmë, se nënshtrimi ndaj Perëndisë është rruga e paqes. Dhe se nuk hedhim dot asnjë hap pa ndihmën e tij.

Kështu e shikoj unë dorën e Zotit, që më ka ruajtur e më ka mbajtur gjallë… Ai, Perëndia, ndoshta kishte dëshirë që unë vetë, kur të kthej kokën prapa e të shikoj orën kur kam lindur, në gjithë këtë hapësirë ditësh, të mund të dalloja përkujdesjen e Tij… dhe kështu të gjeja paqen për të ardhmen duke i besuar Atij më shumë sesa deri tani!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...