Të marrësh zemër në errësirë

adminDhiata e Re0 Comments

“Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!” Gjoni 16:33

Nuk duket krejtësisht jashtë të mundshmes – sidomos nëse fokusohesh shumë te lajmet – që të të shtypin me kamion bashkë me fëmijët e tu ndërsa je duke festuar një festë kombëtare, e të të fanepset një i çmendur që në emër të besimit, do të të godasë me sopatë, a dikush të të vendosë një bombë në mes të një sheshi me shumë njerëz, a të të qëllojë dikush me sniper sepse ti ke një detyrë publike…

Nuk është fare çudi, që dikush, që ndoshta e njeh shumë mirë, të të bëhet armik brenda disa muajsh, e të të duhet të ruhesh prej tij, se mos keni mendime të ndryshme…

Nuk është çudi, që në kontekstin ku jetojmë, heronjtë të kthehen në tradhëtarë e tradhëtarët në heronj!

Dhe, nuk është çudi, e askush nuk do të të bënte me faj, nëse në mendjen tënde, ke filluar të ndjesh frikë, se mos dikush, diku, do të të sulmojë krejtësisht pa shkak… në emër të një ideologjie të rreme, por që s’të jep mundësinë as ta ekspozosh e t’ia nxjerrësh në dritë gënjeshtrën!

Por, në të njëjtën kohë, nuk është fare çudi, të kthejmë kokën prapa në histori, e të shikojmë se gjithmonë drita edhe errësira kanë pasur prirjen të asgjësojnë njëra tjetrën! Që nga fillimi i kohërave!

Dhe pastaj, e fundit fare, që e heq mundësinë për të papriturat, është paralajmërimi i dukshëm i Jezusit, i cili, në përpjekjen e tij të fundit për t’i sqaruar ndjekësit e tij për të ardhmen e tyre, iua thotë qartë, se bota do të sjellë mundime mbi ta. Bota nuk do të jetë një vend i lehtë e i sigurt për ndjekësit e tij. Kur ai të “ngrihet lart në qiell”, errësira do të bëjë çmos ta errësojë kujtimin e tij, ta shbëjë veprën e tij, ta hedhë poshtë identitetin e tij, ta përçmojë sakrificën e tij (ne emër të Zotit), e t’i trondisë zemrat e ndjekësve të tij.

Edhe Jezusi, iua tha ndjekësve të tij të vërtetën – se bota do të mundohej t’jua thyente zemrën! Por në të njëjtën kohë, Jezusi, gjithashtu, theksoi se në këtë betejë që vazhdon, ai tashmë, e ka zgjedhur fituesin!

Fituesi është Ai. Dhe ne që i ndjekim mësimet e tij.

Në këtë botë të trazuar, ndërsa, vdekja e padrejtë vërtitet si hije errësire mbi gjithsecilin prej nesh, duhet të kujtojmë fjalët e tij, se ai tashmë e ka mundur botën, se ai që ka në dorë shpirtin tonë, është në anën tonë. Se paqja dhe siguria, gjenden vetëm duke i besuar Atij… Së pari, duke na dhënë paqe të brendshme, dhe duke na ruajtur mendjen të qetë. Së dyti, duke besuar që rrjedha e ngjarjeve është në kontrollin e tij.

Sepse siç shkruajti Gjoni, në hyrjen Ungjillit të tij,

“Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e sundoi dot” (Gjoni 1:5, gërmat e lakuara, përshtatja ime)

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...