Të mbjellësh për të tjerët…

adminDhiata e Re, Dhiata e Vjeter0 Comments

“Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit. Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua. Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!!”.” Veprat e Apostujve 20:33-35.

– Mami përse ke mbjellë kaq shumë speca e domate?

– Po të jenë aty… ca i  hamë vetë, ca ua japim atyrë që nuk iu bëhen.

Kështu iu përgjigj pyetjes së të bijës gruaja 64 vjeçare.

Ajo e kishte zakon të mbillte gjithmonë më shumë sesa ishte e nevojshme. Punonte sikur do të ushqente gjithë komshinjtë megjithëse jetonte vetëm me bashkëshortin.

Kjo është nëna e zonës ku jam rritur. Një grua që bën më shumë sesa ka nevojë. Një nënë që do ti ketë duart plot për t’iu dhënë atyre që nuk kanë.

Tablo të kësaj natyre hasen gjithmonë e më rrallë. Duket sikur bujaria po zbehet. Kemi mbyllur mendjen ndaj nevojave të të tjerëve, në verbërinë dhe arrogancën tonë. Preferojmë të mbyllim sytë përpara nevojave. Dhe nuk duam të na shqetësojë realiteti i disave. Ose thjesht marrim të mirëqenë që gjërat që i kemi ne, i kanë edhe të tjerët.

Disa gjëra nuk kushtojnë shumë për ne, por do të ishin jetike për të tjerët.

Ruthi, e veja e famshme, e përmendur në Bibël, siguronte bukën e familjes, duke mbledhur kallinjtë e grurit, të lënë mënjanë me qëllim nga punëtorët, vetëm për t’iu dhënë mundësi të varfërve si ajo, që të siguronin bukën e gojës. Një gjest i vogël bujarie që siguron bukë për një familje në nevojë!

Cilët janë “kallinjtë e mi” që i lë mënjanë qëllimisht që dikush tjetër, – që nuk ka punën që kam unë, të ardhurat që kam, shtëpinë, ushqimin, veshjet që janë siguruar, – të jetojë?

Ndërsa po shkruaj shiu po fillon. Dhe komshiu im jeton në një barakë kartonash dhe leckash afër koshave të plehrave!

A ka ndonjë nevojë të cilën mund ta përmbush unë? Ndonjë dhimbje që mund ta lehtësoj sadopak? Kur ishte hera e fundit që bëra një akt bujarie?

Ndoshta nuk i japim fund dot varfërisë. Por mund të ndryshojmë diçka. Mund të prekim zemrat e nevojtarëve sikur të ishte prekja e Perëndisë për ta.

Ne jemi ata që paraqesim Perëndinë përpara tyre, paraqesim Dhënësin dhe Dhuruesin e të gjitha të mirave që zotërojmë.

Edhe ato që i kemi, i kemi sepse ky Dhurues ka zgjedhur ta na i besojë të mirat e Tij. Perëndia na haptë sytë dhe na e bëftë zemrën të butë ndaj nevojave të të tjerëve.

Dhe, përtej plotësimit të nevojës, dhënia është një mundësi të gjejmë lumturinë. Siç i theksoi edhe Apostulli Pal fjalët e Jezusit, ndërsa po ndahej me miqtë e tij në kishën e Efesit, “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!” (Veprat e Apostujve 20:35). Dhe pikërisht kjo lumturi vjen si nevojë për të mos u fokusuar te vetja, por të fokusohesh te nevojat e atyre që janë në vështirësi.

“Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit. Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua. Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!!”.” Veprat e Apostujve 20:33-35.

Dhe Pali nuk është i pari e as i fundit që na e kujton nevojën për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Fjalët e tij jehojnë urtësinë e hershme në mes të Izraelit, ku autori i Fjalëve të urta theksoi se “Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu” (Fjalët e Urta 11:25).

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...