Të ngatërrosh rrugën…

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit. Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij. Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes. Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua. Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua. Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta. Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht. Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.”

Psalmi 119:1-9

Isha rrugës. Duke shkuar drejt marketit për të blerë ushqimet. Listën e ushqimeve e kisha në xhep. Ndërkohë, më erdhi mesazhi nga shoqja. Isha duke pritur në ankth të dëgjoja prej saj. Do të më shkruante rreth situatës së saj të vështirë. Ndërkohë që po ecja drejt marketit, nuk m’u durua. E hapa mesazhin dhe vazhdova të ec drejt marketit, duke menduar për situatën e saj të vështirë. Çfarë mund të bëja? Lexova e rilexova mesazhin…

Herë pas here ngrija pak kokën për të parë rrugën. Për t’u siguruar që isha në drejtimin e duhur. Isha tashmë afër marketit. Me sytë mbi telefon, kontrollova edhe njëherë listën. Kalova pragun e derës. Nuk i hoqa sytë nga telefoni. E dija ku ishte djathi. Te frigoriferi. Në të djathtë. Ngrita kokën në fund… dhe nuk pashë as djathin e as proshutën. As frigoriferin. Kisha hyrë te parukeria e lagjes, te stilistja e flokëve.

E ndjeva skuqjen. Parukierja e dalloi që kisha hyrë aty gabimisht. Nuk tha asgjë. Më pa me habi. Për pak caste, fillova të marr situatën në kontroll. Qesha. Kërkova falje që kisha hyrë aty gabimisht. U përshëndeta. Dhe u largova.

Nuk më ndodh përditë që të nisem për market e të përfundoj në parukeri. E megjithatë, shpesh megjithë vendosmërinë time për të bërë diçka, kam përfunduar në një drejtim tjetër.

Ndonjëherë nga pamendja, ndonjëherë nga pavëmendja! Ndonjëherë kam menduar me mendjen time të vogël, që për të shkuar në stacionin e duhur, nuk kisha nevojë për përqendrim.

Në ca raste, nuk dëmtohet njeri, nëse ngatërron rrugën. Në raste të tjera, destinacioni është aq i rëndësishëm, saqë, nëse nuk jemi të vëmendshëm, mund të na kushtojë shtrenjtë. Ka çështje që kërkojnë përkushtim; gjithçka jam. Sepse aty gjendet jeta ime. Fryma ime. Përjetësia ime.

Psalmisti e ka theksuar rëndësinë e të ecurit me besim. Ndërsa ecim përpara, Ati ynë qiellor, kërkon prej nesh, që ti respektojmë urdhërimet e tij. Të ndjekim mësimet e tij. Të jemi të kujdesshëm në të zbatuarit e mësimeve të tij. Dhe s’ka pse të arrijmë në vendin e gabuar.

Në fund, kur të ngre kokën e të shoh ku gjendem, s’dua të turpërohem. As të skuqem. Kur të arrij në shtëpinë e Atit tim, dua ta mbaj kokën lart. E të më qeshë fytyra nga gëzimi i arritjes në vendin e duhur. Në mënyrën e duhur. Si një bijë që e ka nderuar Atin.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...