Të Pasigurt por të Siguruar

adminDhiata e Vjeter, Krishtlindja0 Comments

Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë” Mikea 5:2

Efrata, qyteti im i lindjes, shtrihet paqësor në qendër të shtetit të Uashingtonit. Në vitin 1892, ndërsa Hekurudha e Madhe e Veriut përfundoi linjën e vet nga Siatëlli në Mineapolis, dikush e quajti zonën rreth e rrotull stacionit të trenit Betlehem Efrata. Dhe kështu i mbeti!

Kujtimet që kam nga Efrata më sjellin gëzim. Kur isha djalë i vogël unë endesha nëpër burimet dhe luginat plot me shkurre. Si argëtim, ne shënjestronim me topa bore makinistët, ndërsa trenat uturinin duke tundur tokën. Unë i besova Jezus Krishtit ndërsa isha në Efrata, u pagëzova dhe fillova të piqem në besim. Dy herë, për periudha të shkurtra, kam qenë pastor i kishës ku u rrita edhe vetë, i atyre njerëzve që në një farë mënyre mbeten gjithmonë familje. Krishtlindjet e mia i kam kaluar atje. Unë e dashuroja këtë qytet të sigurt, të pastër dhe të qetë.

Efrata. Rreth katër mijë vjet më parë patriarku Jakob varrosi gruan e tij të dashur, Rakelën pranë “Efratës (domethënë të Betlemit)” (Zanafilla 35:19). Një mijë vjet më vonë po atje Boazi u martua me Ruthin (gjyshërit e Mbretit David), dhe në këtë mënyrë edhe në familjen e Davidit u quajtën “Efratej” (Ruthi 1:2). Klani i Efratejve u vendos rreth Betlehemit dhe u përhap në një zonë më të madhe të quajtur Efrata, dhe shtrihej nga veriu i Jeruzalemit deri në jug të Betlehemit. Megjithatë në Bibël Efratës i referohen thjesht si Betlehem, fshati mbretëror i Izraelit.

Betlehemi dhe vendlindja ime janë çuditërisht të ngjashëm, me kodra të thata, lugina dhe bar për kullotë, si edhe disa pemë për hije. Ndjenjat që përjetoj në Palestine, tani njëlloj si edhe atëhere, janë shumë më ogurzeza sesa në Efratën time. Në kohën e vet, fortesa që skllevërit ndërtuan për Herodin qëndronte vetëm 3 km larg Betlehemit dhe ushtarët e Herodit ishin gjithmonë pranë. Sot, një mur i lartë dhe pikat e kontrollit e ndajnë Betlehemin e Palestinës nga Jeruzalemi i Izraelit. Kisha e Lindjes së Jezusit, tani rrethohet nga minare dhe forca sigurie. Efrata e Betlehemit nuk është e sigurt dhe paqësore. Nuk ishte kur lindi Jezusi dhe nuk është as sot.

Shumica prej nesh përpiqemi të mbrojmë mirëqenien tonë dhe gjërat që duam më shumë, dhe këtë e vërtetojmë më shumë gjatë sezonit të Krishtlindjes. E megjithatë, foshnja në Betlehem lindi në mes të rrezikut.

Të jemi të sigurt që ky fëmijë origjina e të cilit është nga lashtësia, do të sundojë në Izrael.  Biri do të vendosë mbretërinë e Tij paqësore.

Sidoqoftë, ndërsa ne presim kthimin e Tij, Zoti ynë na thërret t’i jetojmë jetët tona si Ai, të cënueshme dhe me shpresë në një botë të shqetësuar dhe të rrezikshme. Ne duhet ta pranojmë që jeta jonë nuk do të jetë gjithmonë e sigurt dhe të mbështetemi të sigurtë te Ai.

— Dr. J. Skot Horrel
Profesor i Studimeve Teologjike, Seminari Teologjik i Dallasit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...