Themelet mbi shkëmb

adminBibla, Dhiata e Vjeter0 Comments

“Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.” Ungjilli sipas Mateut 7:24-25

Nëse më kërkoni t’ju tregoj një histori, e para që më vjen në mendje është “Tre derrkucat”! Im bir tre vjeçar e do kaq shumë këtë histori, saqë ne e kemi parë në çdo version të mundshëm. Zgjohemi me tre derrkucat dhe flemë duke e treguar sërish. Ai kënaqet ndërsa imitojmë ujkun kur u fryn shtëpive prej kashte e shkopinjsh, dhe qesh kur shtëpia fluturon. Por pjesa e tij e preferuar është fundi, kur ujku i keq bie në zjarr. Digjet e ikën fluturimthi nga dera duke qarë.

Fundi i historisë e bën tim bir ta presë me gezim të madh filmin. Ai e di që në fund derrkucat fitojnë! Ujku ikën duke qarë. Historia mbyllet me derrkucat që këndojnë të lumtur dhe shkojnë të ndërtojnë të tre shtëpi të forta me tulla dhe me llaç.

Si besimtarë e gjejmë veten shpesh si derrkucat, që ndërtojnë shtëpi shpejt e shpejt, me kashtë a shkopinj. Harrojmë që ujku është aty, si “luan vrumbullues”,  gati për ta prishur shtëpinë e për të na sulmuar. Ne e kemi hallin të mbarojmë punë shpejt e shpejt me shtëpinë e të rrimë në diell për qejf.

Por koha e qetësisë, atëherë kur ujku nuk duket në sfond, është koha e ndërtimit të themeleve të besimit, të bindjeve për jetën, e njohjes së karakterit të Perëndisë, e njohjes së të vërtetës së plotë që na shfaq Bibla, e njohjes së kundërshtarit dhe strategjive të tij. është koha kur u tregojmë të tjerëve për rrezikun që u kanoset nga kundërshtari.

Kur armiku vjen nuk ka me kohë për ndërtim. Sulmi nxjerr në pah ku i kemi themelet. A janë ndërtuar siç duhet?

Dy derrkucat e parë që e shpenzuan kohën duke luajtur, kur ujku erdhi e shtëpia fluturoi në erë, gjëja e parë që bënë ishte t’ia mbathnin e të kërkonin ndihmë. Ishte gjëja më e mençur që kishin bërë deri atëherë.

Siguria e derrkucit të tretë, nuk ishte tek vetja dhe forca e tij, por tek themeli i shtëpisë së ndërtuar. Ai e dinte që do ta përballonte sulmin.

Jezusi, gjithashtu, iu bëri thirrje ndjekësve të tij, që jo vetëm të dëgjonin fjalët e tij, por edhe t’i zbatonin ato, duke krijuar kështu një themel të fortë për jetën e tyre. Kur të vijë stuhia, kush i ka zbatuar mësimet e Jezusit, do të qëndrojë. Dhe themelet e tij nuk do të shkatërrohen.

Kjo është koha të ndalosh e të hetosh themelet e tua. A janë të ndërtuar në Perëndinë dhe të vërtetën e Tij? Ku ka nevojë të përforcosh themelin? A njeh dikë që ka nevojë ti tregosh për rrezikun që i kanoset? A e njeh armikun tënd  dhe strategjitë e tij?

Mos harro: në fund i ligu mundet!

Gëzimi i fitores përfundimtare le të na frymëzojë të jemi vigjilente dhe të forcojmë themelin tonë të besimit në Perëndinë dhe karakterin dhe të vërtetat e Tij.

Rreth Autorit
mm

Ela Kole

Ka lindur në Kuçovë. Eshtë diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, dega Administrim Biznesi/Menaxhim. Shërben me "Institutin Jeta e Re" që prej vitit 1999. Gjatë këtyre viteve, ka punuar me mobilizim, përkujdesje, drejtim të grupeve të ndryshme (gjimnazistë, studentë, politikanë dhe biznesmenë) dhe ka drejtuar departamente të ndryshme në nivel lokal dhe nivel kombëtar. Aktualisht punon në skuadrën e Strategjive Dixhitale. I pëlqen larmia dhe ndryshimet. Ela është e martuar me shokun e saj më të mirë dhe është nëna e një djali kureshtar, tre vjeçar.

E mirepresim komentin tuaj...