Thirrja e mëmësisë

adminDhiata e Vjeter2 Comments

“Merre këtë fëmijë dhe ushqeje për mua dhe unë do të japë pagën tënde.” – Eksodi 2:6

Ato ishin ditë të vështira për kombin.

Jeta nën skllavërinë e egjiptasve ishte bërë e padurueshme. Kësaj i ishte shtuar edhe një urdhër i fundit i Faraonit për vrasjen e gjithë të lindurve djem. Jokebedi ishte një nënë e re. Mbante në krahë djalin e saj të porsalindur, admironte bukurinë e tij, dhe pyeste veten “si mundet një nënë të vrasë dritën e syve të saj?”- Jo, vrasja nuk ishte opsion! Duhet të vepronte shpejt. Në mendje thuri një plan, dhe sytë iu mbushën me një rreze shprese.

Fëmija tashmë ishte tre muajsh, dhe nuk mund të fshihej më.

“Do ta fus në një shportë dhe do ta lëshoj në lumë. Zot, do ta besoj në duart e tua. Ruaje jetën e tij, dhe dorëzoje në duar të sigurta. Jepi ditë të ngopura me jetë.”

Me duart që i dridheshin, priti që lumi të ishte i qetë e dita e ngrohtë. Siguroi mirë shportën që të mund të pluskonte në ujëra, dhe e la në kallamishten në bregun e lumit. Vendosi të bijën të ruante shportën e të shihte si do shkonte. Me siguri ankthi e kishte pushtuar, e ndërsa bënte punët e saj të zakonshme, mendja i rrinte gjetiu, atje tek i shtrenjti bir.

Bashkë me të, kishte lënë në atë shportë edhe një pjesë të zemrës.

Jeta shpesh na çon në zgjedhje të vështira e ku asnjëri nga opsionet nuk na duket i drejtë. Ndonjëherë na duhet të “rrezikojmë” t’i besojmë Zotit deri në atë pikë që ka të bëjë me jetën a vdekjen!

Po ku e dinte Jokebedi, se ç’plane kishte Zoti për jetën e të birit. Ku e dinte kjo nënë se foshnja e vogël që mbante në krahë do të ishte Moisiu që njohim! Nga t’a dinte që ky fëmijë do të bëhej çlirimtar e udhëheqës.

A do të bëhej sërish Moisi, nëse nuk do të ishte dorëzuar në lumë nga nëna e tij?

Ndërsa Jokebedi përpëlitej mes dhimbjes e lutej për mbijetesën e të birit, Ati qiellor kishte plane që i tejkalonin caqet e imagjinatës së një nëne.

Por, ajo duhej vetëm t’i besonte Atij, dhe ta dorëzonte në duart e Tij më të shtrenjtin e saj.

Por, Zoti e solli prapë në krahët e saj. Ajo ishte e “zgjedhura për ta mëndur foshnjën”. Me siguri Jokebedi bëri më shumë se kaq. Ajo e deshi, e ushqeu fizikisht, por i dha edhe një ushqim që ia tejkalon atij fizik. I dha atij atë lloj dashurie për Perëndinë dhe atë lloj perspektive për të vërtetën saqë do të ishte e mjaftueshme që Moisiu të jetonte i pa ndikuar nga ambienti që e rrethonte.

Pa një Jokebed, me siguri nuk do të kishim këtë Moisi!

Ndërsa mendoj për këtë histori, shoh rrotull tim bir. I zhurmshëm e plot jetë, i rrëmujshëm e plot gëzim. Ai luan me makinat, helikopterët e lodrat e tij.

Kush e di nëse ky fëmijë, apo Matiasit, Andreat, Joelët, Lukat, Aronët, Benët… që luajnë në shtëpitë tona me makina, helikopterë apo topa futbolli, një ditë mund të bëhen njeriu tek i cili qindra e mijëra do të shkojnë për ndihmë e drejtim?

Me siguri Jokebedi i mësoi Moisiut të donte Zotin, por më shumë se fjalët, Moisiu mësoi duke e parë të ëmën të jetonte duke e dashur Zotin.

“Asnjë thirrje nuk është më e madhe, më fisnike apo më përmbushëse se sa ajo e mëmësisë. Çdo ditë, ndërsa ushqejmë fëmijët tanë, nënat ndikojnë fatin e përjetshëm ashtu si askush nuk mundet. Tragjikisht, kultura e sotme e minimizon rëndësinë jetësore të rolit të nënës. Duke kapur vizionin e projektit fillestar të Zotit dhe duke lejuar atë t’jua formësojë jetën, mund të rizbuloni gëzimin dhe përmbushjen që mund të gjendet në rolin strategjik në të cilin, Perëndia në gjithë mençurinë e Tij, ju ka thirrur, për një qëllim shumë më të lartë se sa ç’mund ta imagjinoni.” – Sally Clarkson “Misioni i Mëmësisë”

Lutem e shpresoj që si nëna, do të kuptojmë thirrjen tonë kur dikush më i lartë se bija e Faraonit na thotë: “Merre këtë fëmijë dhe ushqeje për mua dhe unë do të japë pagën tënde.” – Eksodi 2:6

Një pagë që ia tejkalon vlerës së kësaj bote. Jokebedi mundi të shijonte “pagën” e saj.

“Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy. Lip 34:10”

Rreth Autorit
mm

Ela Kole

Ka lindur në Kuçovë. Eshtë diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, dega Administrim Biznesi/Menaxhim. Shërben me "Institutin Jeta e Re" që prej vitit 1999. Gjatë këtyre viteve, ka punuar me mobilizim, përkujdesje, drejtim të grupeve të ndryshme (gjimnazistë, studentë, politikanë dhe biznesmenë) dhe ka drejtuar departamente të ndryshme në nivel lokal dhe nivel kombëtar. Aktualisht punon në skuadrën e Strategjive Dixhitale. I pëlqen larmia dhe ndryshimet. Ela është e martuar me shokun e saj më të mirë dhe është nëna e një djali kureshtar, tre vjeçar.

2 Comments on “Thirrja e mëmësisë”

E mirepresim komentin tuaj...