T’i harrosh të gjitha për një Spidermen…

adminDhiata e Re0 Comments

“Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.” I Timoteut 6:6-8

Stela e vogël ishte gati të shkëmbente të gjitha lodrat e saj me shoqen, vetëm e vetëm që ajo t’i jepte një spidermen. Shoqja nuk pranoi. Pasi “truku” nuk funksionoi, Stela iu hodh në fyt shoqes. Vajza filloi të qajë. E ëma u mundua të qetësonte Stelën, e cila po përplaste këmbët fort në rërën e nxehtë, duke mos hequr dorë nga spidermeni. Njërën dorë e kishte drejt spidermenit, tjetrën duke shtyrë mamin. Pas disa çastesh beteje, mamaja u dorëzua. “Le të shkojmë të blejmë një spidermen për ty”, i tha ajo vajzës.

Pas disa minutash, u shfaq Stela, me një spidermen në dorë e buzëqeshje në fytyrë. Sikur kishte fituar gjithë botën! E kishte fituar trofeun e rradhës…

Pasdite, disa orë pas betejës për një lodër, një spidermen i dëshiruar me aq forcë disa orë përpara, tani ishte i vetëm, i lënë mënjanë në rërë…

E gjithë kjo ngjarje më ndodhi përpara syve. Dhe më erdhi ndër mend vetja, jam gati të jap gjithçka kam, që të marr vetëm një gjë që më mungon, me të cilën jam fiksuar keq… Kam edhe unë mënyrat e mia për të marrë atë që dua. Ndonjëherë “qaj”. Ndonjëherë “përplas këmbët”. Shpesh duke qënë mosmirënjohëse për atë që më ka dhënë Perëndia mua, i mbaj sytë e fiksuar tek ajo që kanë të tjerët. Mund t’i kem të gjitha të mirat, që Perëndia, Ati i dashur, ka pregatitur për mua, por sytë e mi të pangopur, drejtohen drejt gjërave më të mira që ka siguruar Zoti për të tjerët. Miqtë e mi kanë “spidermenin” që nuk e kam unë. Ata kanë karrierë, familje, fëmijë, pasuri, pushime! Kurse unë kam… të gjitha ato që kam, errësohen përpara pamjes së panevojshme të zilisë!

Eshtë shkatërruese të dëshiruarit e gjërave të të tjerëve. Na çon në krahasim, pakënaqësi, mosmirënjohje, një jetë ankuese. Prandaj, Pali, si një At i dashur, e paralajmëroi Timoteun që të kënaqej me atë që kishte… dhe të kishte këndvështrimin e duhur për gjërat që siguron Zoti për të…

Sepse Perëndishmëria nuk është thjesht të dish fjalët e duhura biblike, e as të kesh njohurinë e duhur, e as të kësh shpesh përshpirtshmërinë e kërkuar në përballje me të tjerët, por është gjithashtu, një këndvështrim i duhur për gjërat që sjell Zoti në jetën tonë…

Atëherë thotë Pali, “kur njeriu kënaqet me atë që ka”, të jetuarit me Perëndinë nga ky këndvështrim, sjell dobi të madhe për jetën tonë…
Perëndia na dhëntë mençuri që të kënaqemi me atë që kemi…

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...