Tradita të çuditshme, E vërtetë e pandryshueshme

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë. Hebrenjve 13:8

Në Dhjetor të vitit 1993, unë vizitova për herë të parë Gjermaninë, duke kaluar nga ambienti i rehatshëm amerikan në një kulturë të panjohur europiane. Gjatë sezonit të Krishtlindjes, shteti tashmë mahnitës i Gjermanisë transformohet në një botë magjike çudirash. Unë kurrë nuk kisha parë pamje kaq magjike, tinguj dhe aroma si në atë botë aq të çuditshme.

Ose ndoshta do të ishte më mirë të thoja “botë e vjetër e çuditshme”, sepse traditat gjermane të Krishtlindjes, të cilat unë i quajta të “reja” e kishin origjinën shekuj më parë: qirinj të vërtetë që digjeshin në bredha të vërtetë, pazare kumbuese Krishtlindjeje që shisnin bajame të karamelizuara si dhe bukë me fruta të thata dhe sheqer pluhur, një kor trumpetash që jehonin nëpër luginë dhe për darkën e Krishtlindjes një patë të vërtetë. Miqtë e mi gjermanë mendonin që këto tradita ishin normale. Unë mendova që ishin të çuditshme. E si mund ta shijoja unë Krishtlindjen pa Çarli Braunin, Xhek Frostin dhe Rudolfin? Ku ishte Babagjyshi me Slitën e vet fluturuese? Po për njerëzit prej bore mbushur me ajër, për skenat plastike të lindjes së Krishtit dhe dritat e Krishtlindjes që kërcejnë “Zilja Tring”? Gjermania po e festonte Krishtlindjen plotësisht gabim dhe ata as që e dinin këtë!

Por mbrëmjen e Krishtlindjes, kur dola nga marketi plot zhurmë dhe hyra në një kishë pjesërisht të ndriçuar, e cila kishte qëndruar në të njëjtin vend për gjashtëqind vjet, çorientimi im u shpërbë si dëborë e shkrirë. Ne kënduam “Natë e qetë, natë e shenjtë” në versionin origjinal gjerman. Pastori lexoi historinë e vërtetë të Krishtlindjes nga Ungjilli sipas Lukës dhe unë dëgjova, fort dhe qartë, të vërtetën e pandryshueshme të mishërimit, Perëndinë Bir që hoqi dorë nga shtëpia e Tij e rehatshme qiellore dhe erdhi në botën tonë të vjetër dhe të çuditshme. Sepse në atë orë, ishin zhdukur tingujt e çuditshëm të këngëve të panjohura, aroma e ëmbël e verës së zier me erëza dhe dritat e qirinjve që regëtinin përmes dritareve të ngrira.

Ja ku ishte Jezusi, Zoti në trup njerëzor, Shpëtimtari nga një botë tjetër, i cili erdhi të na shpëtojë.

Megjithëse montazhi i traditave të Krishtlindjes mund të ndryshojë nga një vend në tjetrin dhe nga një epokë në tjetrën, historia e Shpëtimtarit qëndron e njëjtë: “dje, sot dhe përjetë (Hebrenjve 13:8).

— Dr. Majkëll Svigel
Kreu i Departmentit dhe Profesor i Studimeve Teologjike, Seminari Teologjik i Dallasit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...