Udhëtimi i gjatë

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

Ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem, duke thënë: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar”. Mateu 2:1–2

Ky ishte udhëtimi më i gjatë në botë për dy të rinj. Kishin ngelur vetëm dy ditë të plota deri për Krishtlindje dhe ne akoma duhet të udhëtonim katërqind e tetëdhjetë km për të arritur te shtëpia e gjyshes në Seint Xho, Teksas. Këto km më ndanin nga çdo gjë që mbante aromën e Krishtlindjes: vendin—shtëpinë e gjyshes, që kishte aromën e sapunit ‘Dial’ dhe batanije leshi të mykura të sapo nxjerra nga sëndukët plot me kokrra naftaline.

Njerëzit—gjyshja, matriarkja e klanit tonë të vogël Skocezo-Presbiterian. Xhaxha Debiu, i cili preu një pishë të re për ta përdorur si pemën e përvitshme të Krishtlindjes. Xhaxha Luka – tribuja e tij, përfshirë edhe kushërinjtë e mi të cilët i shihja vetëm një herë në vit, Luka dhe Krista.

Dhuratat—me mbështjellëset plot shkëlqim, vendosur njëra mbi tjetrën poshtë pemës vezulluese.

Duke na pritur.

Motra ime, Debi dhe unë luajtëm lojra dhe numëruam antenat e telefonave. Më në fund na zuri gjumi pranë babit i cili qëndronte i palëvizur ndërsa përpiqej të gjente Perrin, Bingun ose Natin në radion tonë AM, të cilët i këndonin pjekjes së gështenjave në mes të fushave të Teksasit verior. Pastaj, nëpër errësirë dëgjuam: “Shikoni fëmijë!!” dhe me sytë e përgjumur ne shikonim dritat e largëta të Seint Xhosë, i vendosur në mënyrë të favorshme direkt poshtë pafundësisë së yjeve të Udhës së Qumështit.

Dhe ja ku ishin Dijetarët.

Ata e filluan udhëtimin në Persi dhe numëruan shtyllat e telefonit për afërsisht nëntëqind e shtatëdhjetë km.

Ne udhëtarëve të Krishtlindjes na pëlqejnë shumë pjesët përbërëse të Krishtlindjes: vendi, njerëzit dhe dhuratat. Por Dijetarët i konsideruan këto si një mënyrë për të mbërritur në një fund më madhështor; në një vend, në vendlindjen e Mbretit; në një komb, hebrenjtë dhe një person të caktuar midis tyre.

Dhe ata sollën dhurata për t’ia ofruar Mbretit të ri.

Këta johebrenj nuk po kërkonin një dritë ashtu siç po kërkonim ne dritat e Seint Xhosë.

Ata ndoqën një dritë dhe në fund të udhëtimit të tyre ata gjetën Dritën e Botës, Jezus Krishtin i cili gjendej poshtë një ylli vetmitar që shkëlqente…

…duke pritur për ne.

— Dr. Reg Grant
Kreu i Arteve Mediatike dhe Adhurimit, Asistent Profesor i Arteve Mediatike dhe Adhurimit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...