Nxitja e mundimshme e të mësuarit

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.” Fjalët e Urta 18:15

Katër të rinjve Perëndia u dha njohuri dhe mend në gjithë letërsinë dhe diturinë; dhe Danieli fitoi njohuri për çdo lloj vegimi dhe ëndrre. Në mbarim të kohës së caktuar nga mbreti që t’ia çonin këta të rinj, kreu i eunukëve i shpuri përpara Nebukadnetsarit. Mbreti foli me ta, por midis tyre nuk u gjet asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria, prandaj këta u pranuan në shërbim të mbretit. Dhe mbi çdo çështje që kërkonte dituri dhe gjykim dhe për të cilat mund t’i pyeste mbreti, i gjeti dhjetë herë më lart se tërë magjistarët dhe astrologët që ishin në tërë mbretërinë e tij. Kështu Danieli vazhdoi deri në vitin e parë të mbretit Kir.” Danieli 1:17-21

Një nga gabimet më të mëdhaja të jetës prej të rrituri, e kreva kur sapo kisha filluar universitetin. Për shkak të lodhjes së tre muajve studimi gjatë verës, vendosa, sapo mora vesh që kisha fituar të drejtën e studimit, vendosa që të bëj pushim nga të lexuarit.

Pushim absolut! Asnjë libër. Për disa muaj!

Në atë kohë, thjesht po çlodhesha. Nuk isha ndikuar nga ajo bindja mbizotëruese e “urtësisë” popullore se të lexosh shumë çmendesh. Nuk është që e kisha besuar këtë lloj urtësie as gjatë verës së lodhshme e as më vonë. Thjesht po bëja pushim!

Por të nxënit është si buka. Nëse nuk ha ushqim për ca kohë, trupi fillon të shfaqë shenja dobësie. E nëse nuk fiton dituri, mendja dhe shpirti, kënaqet me mediokritetin.

Predikuesi biblik na kujton se dituria sjell përfitime. Madje më shumë përfitime sesa pasuria materiale.

Dituria është e mirë bashkë me një pasuri dhe u sjell përfitime atyre që shohin diellin. Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.” Predikuesit 7:11-12

Nëpër faqet e Biblës, gjenden shpesh nxitje për të kërkuar urtësinë. Natyrshëm në kontekstin e Shkrimit Biblik, urtësia është e lidhur me kërkimin e Perëndisë. A mund të ketë urtësi të vërtetë, nëse shmanget nga mendja dhe nga jeta jonë, krijuesi, Ai që na ka krijuar dhe na ka dhënë gjithçka? Nuk duket urtësi shmangia e Perëndisë.

Por ka gjithashtu histori biblike që na kujtojnë nevojë për t’u thelluar në njohuri edhe në fusha të dijes të lidhura me botën që ka krijuar Perëndia.

Profeti Daniel, i marrë rob në Babiloni bashkë me shumë të rinj të tjerë hebrenj, u detyrua të mësonte letërsinë dhe diturinë e kohës. Dhe Perëndia e vlerësoi përkushtimin e tij dhe të miqve të tij, duke ju dhënë gjykim për të kuptuar çështjet e vështira të kohës.

Megjithëse jemi në situatë të ndryshme nga ajo e profetit Daniel, kur fillon shkolla e fëmijëve, ndjehem sikur jam mes dy përjetimeve – nga njëra anë, kur mendoj sfidat e përditshme të orëve të gjata të mësimit, të detyrave të ngarkuara që iua marrin gjithë pasditen fëmijëve e prindërve bashkë, provimet e vështira të pothuajse çdo muaji, e përsëritjeve pa fund të të gjitha lëndëve të shkollës, kur mendoj të gjitha këto, më vjen në mendje pushimi, të hequrit dorë, të dorëzuarit… Përjetimi tjetër, më bën të mendoj, se fëmijët e mi, duhet të mësojnë shumë, të dinë për të vërtetat e botës ku jetojmë, të mësojnë të numërojnë mirë, të dinë të masin largësi, të dinë emrat e maleve e të dallojnë perëndimin nga lindja, të kuptojnë formësimin kimik të lëndëve, të shijojnë magjinë e letërsisë e të përmirësojnë artin e të folurit… Të mësojnë aq shumë e të shfrytëzojnë mundësitë për t’u edukuar, aq sa ti ngjajnë Danielit, profetit të mençur të Izraelit.

Në shumicën e vitit ndihem sikur po luhatem mes këtyre dy përjetimeve… Arsyeja e “luhatjes” është shumë e thjeshtë: përveç problemeve shtesë të realitetit shqiptar, përtej mundimeve shtesë të panevojshme, përveç e pavarësisht sfidave, dija kërkon mund. Dija kërkon djersë. Kërkon lodhje.

Dhe pas lodhjes e mundimit, shpesh jemi gati të heqim dorë nga të nxënit. Ashtu siç hoqa dorë nga të lexuarit kur fillova universitetin.

Dhe pastaj, dalëngadalë, fillojnë të kënaqemi me përtacinë e mediokritetit. Me rehatinë e budallallëkut. Me ç’lodhjen e gjatë të rehatisë.

Ndërsa fillojmë një vit shkollor, uroj, të anojmë nga përjetimi i të fituarit të urtësisë.

Një grup njerëzish, zgjodhën të largohen nga Europa e lodhur e asaj kohe, për të filluar një jetë të re në tokën amerikane. Dhe nuk u mjaftuan vetëm me tokë e me bukë, as me rehati materiale, as me sisteme politike që ishin më të përshtatshme se ato të Europës që kishin lënë pas por zgjodhën të fitojnë dituri, duke ngritur institucione arsimore që akoma janë ndër më të mirat në botë. Ja çfarë shkruahet në një nga pllakat e Universitetit të Harvardit, i cili u themelua europianët e sapo mbërritur në Amerikë:

“Pasi Zoti na ka sjellë të sigurt në New England, dhe kemi ndërtuar shtëpitë tona, kemi siguruar gjërat bazë për të jetuar, vende të përshtatshme për të adhuruar Perëndinë, dhe kemi vënë në vijë zyrat qeveritare, një nga gjërat e tjera që mezi e kemi pritur dhe jemi kujdesur është nxitja e të mësuarit dhe ta nxisim të zhvillohet, që të lëmë një grup shërbestarësh të arsimuar për kishat tona kur shërbestarët e tanishëm të prehen në pluhur.” (Frytet e Para të New England)

Le të nxisim pa përtim të mësuarit, për të mirën tonë edhe të brezave që do të vijnë!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...