Vlera jonë

Admin 2Bibla, Dhiata e ReLeave a Comment

“Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas mantelin. Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast dhe ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe si iu drejtua turmës, tha: «Kush m’i preku rrobat?». Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët dhe thua kush më preku?». Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. Atëherë gruaja, e frikësuar dhe duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe dhe qofsh e shëruar».”
‭‭Marku‬ ‭5:27, 29-34‬

8 Marsi nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Marrim lule, dhurata, thuren lavde për ne, pastaj vjen 9 Marsi. Çdo gjë njëlloj. Natyrshëm, më pëlqejnë lulet, dhuratat, lëvdatat.

Unë dua të kem vëmendjen çdo ditë – dua që fëmijët e mi, burri, prindërit e të afërmit, kolegët e punës ta vënë re përditë kontributin tim, përkushtimin tim, sakrificat e mia për ta. Të gëzohen dhe të qajnë bashkë me mua. Por, as kalamajtë e mi nuk ma shprehin përditë dashurinë.

Jairi është prifti i qytetit. Një njeri i respektuar. Si, të ishte sot, kryetari i bashkisë.

Jezusi është duke ecur në qytet. Kryetari i bashkisë i del përpara, në gjunjë, duke i kërkuar shërimin e vajzës së vogël. 12 vjeç, e sëmurë. Jezusi e pranoi kërkesën. U nis për në shtëpinë e tij. Njerëzit i hapin rrugën. Megjithëse ata vetë kanë të sëmurët e tyre, por përpara një vajze 12-vjeçare që po vdes, po tërhiqen. Disa po shtyjnë në turmë, sepse nuk e dinë se kur do të mund të shohin Jezusin prapë.

Mes tyre, një grua, prej 12 vitesh e sëmurë, më një fluks gjaku. Ne gratë mund ta kuptojmë dhimbjen e saj. Për 12 vite, ajo ka shkuar te ambulanca e lagjes, ka takuar të gjithë doktorët e mundshëm, ka paguar gjithçka kishte në spitalet private të qytetit… Por nuk ka gjetur zgjidhje. Si do të ndiheshit në vendin e saj?

Unë do të isha mbuluar nga dëshpërimi.
Ajo ishte e pafuqishme për shkak të anemisë. Gjithë kohën në siklet. Ndoshta nuk dilte shpesh nga shtëpia. Nuk merrte pjesë në gëzime e festa familjare nga sikleti. Ndoshta nuk kishte fëmijë. Ndoshta burri i saj e ka lënë sepse donte fëmijë e ajo nuk sjell dot fëmijë në këtë botë. Ose thjesht e la sepse ishte barrë për të. Ndoshta kishte fëmijë por s’kujdesej dot për to për shkak të sëmundjes. Ndoshta është bërë objekt talljeje. Ndoshta më keq, objekt mëshire. E dëshpëruar. Ndoshta ndihej e braktisur nga vetë Zoti.

Ndërsa Jezusi po vazhdon udhën drejt shtëpisë së kryetarit të bashkisë, gruaja në mes të turmës, dëgjon për Jezusin. Kishte dëgjuar tashmë për Jezusin. Për mrekullitë e tij, për shërimin e të sëmurëve. Kishte dëgjuar rreth pretendimeve të tij se ishte Mesia. Ky ishte çasti i saj.

Kishte aq shumë shpresë te ky emër, sa mendoi, se po t’i prekte rrobat e tij, do të shërohej. E dinte që Jezusi nuk ishte doktor, por e dinte që Jezusi kishte fuqinë për ta shëruar. Vetëm ta prekte, aty në mes të turmës, pa e shqetësuar fare. Jezusi po largohej. Njerëzit po shtynin. Vetëm po të prekte rrobat e tij… Zgjati dorën. Edhe e preku.

U shërua në çast.
Jezusi ndaloi ecjen. E dalloi që dikush e preku. E ndjeu se dikush u shërua. Po kërkonte në mes të turmës për personin që e preku… me besim! Krytari i bashkisë është i shqetësuar. Turma po shtyn akoma. Dishepujt e Jezusit po përpiqen të hapin rrugë. Por Jezusi ka një plan tjetër. Ai ndaloi për të gjetur personin që e preku.

– Mësues, nuk e shikon sa njerëz janë vërdallë? Ti po kërkon personin që të preku? Ndërkohë, vajza e një njeriu të rëndësishëm, një njeriu që e njohin të gjithë po vdes… A është koha e duhur për të kthyer vëmendjen te një person? Të një grua që thjeshtë të preku ndërsa shtyhemi mes turmës?

Jezusi vazhdoi të kërkojë në turmë. Për Jezusin, një njeri, qoftë edhe një grua, e cila e ka humbur vëmendjen e gjithë botës, është e rëndësishme… Për Jezusin, një grua, e cila është e harruar për të gjithë, për shkak të sëmundjes së saj, nuk është e harruar. Për Jezusin, një grua me besim te Perëndia, është një grua e rëndësishme…

Gruaja e dëgjoi kërkesën e Jezusit. Me frikë e dridhje, i tregoi Jezusit që ajo ishte personi që e preku…

– Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e shëruar.

Si mund të jetë ndjerë ajo grua?

Ne, sidomos ne vajzat e gratë, e kërkojmë vlerën te martesa, te bashkëshorti, te fëmijët, te puna. Ndoshta je beqare dhe po pret të martohesh, ndërsa djali i ëndrrave nuk është në horizont akoma. Ndoshta prindërit nuk të dallojnë aq shumë se ç’dallojnë motrat e vëllezërit e tu. Ndoshta je martuar edhe burri nuk të jep vëmendjen e duhur. Ndoshta je vjehrrë, e megjithëse rropatesh gjithë ditën, nusja e djali nuk të dallojnë mundimin. Ndoshta je e lodhur, por burri edhe fëmijët presin t’ju shërbesh pa pushim. Ndoshta po jep mësim me shumë përkushtim, por as nxënësit e as prindërit nuk e vlerësojnë mundimin tënd. Ndoshta ke humbur të afërm e je e dëshpëruar.
Në mes të turmës, është gjithmonë dikush që të do. I cili po hap sytë për ty. I cili ka kohë për ty. Ti je e rëndësishme për të.

Ai nuk vlerëson siç vlerëson bota, e cila ka shkallë rëndësie edhe vëmendje për njerëzit. Ai është gati ta lërë të parin e qytetit të presë, që të të dallojë ty edhe vlerën tënde.

– Bija ime, ti ke vlerë për mua. Mos e harxho kohën duke kërkuar për vlerë në burime që s’të përmbushin. Unë do të të shpëtoj e do të të shëroj.

Vlera gjendet vetëm kur gjejmë vendin tonë në Mbretërinë e Perëndisë. Vetëm Jezusi na vlerëson siç duhet. Mos e lër turmën të të pengojë. Shko tek Ai për të shëruar plagët e shpirtit tënd.

Rreth Autorit
mm

Admin 2

Lavdi Karoshi ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, fakulteti Ekonomik, dega Financë. Pas mbarimit të studimeve, iu bashkua lëvizjes Instituti "Jeta e Re", duke shërbyer me degën studentore të IJR-së në Tiranë dhe në Vlorë. Prej mëse 8 vitesh, punon me ekipin e Strategjive Digjitale të IJR-së. Ajo është koordinatore e platformës Lente dhe konsulente e Drejtimit të Karrierës. Ka pasion edukimin. Është mama e tre fëmijëve.

E mirepresim komentin tuaj...