Vuajtet që na nxisin të ndalojmë…

Lavdi KaroshiDhiata e VjeterLeave a Comment

“Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija … Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus, dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë…. Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut”. Predikuesi 12: 2-7, 13
A ka ndonjë çast të jetës tënde që nuk do ta kujtosh fare?
Ora katër pa gjashtë minuta në të gdhirë të 26 Nëntorit 2019, me siguri nuk është për t’u kujtuar për shumë prej nesh.
E kush do që ta kujtojë pasigurinë që sjell një shkundje nga themelet, sekondat që s’dimë se ku të mbështetemi, me tmerrin e mundshëm që na kalon në tru në ato pak sekonda se gjithçka po shembet e do të na zërë poshtë, klithmat e njerëzve ndërsa nxitojnë për të dalë jashtë apartamenteve, sikur po përgatiten për shkatërrimin e fundit…
E kush pastaj do që ta kujtojë kujën e madhe që filloi të ndihet kur lëkundjet ishin qetësuar disi? Kur lajmet filluan të flasin për ndërtesa të shembura, për njerëz që ndryshe nga ne që e përkujtojmë datën sot, nuk ia dolën ta shohin diellin e asaj dite? Kush do ta kujtojë dhimbjen e familjarëve të cilët nuk i gjetën dot gjallë disa prej të afërmve të tyre, në kërkimet që zgjatën me ditë të tëra? Disa kanë humbur shumë atë mëngjes. Një vit më vonë, duket larg për disa prej nesh, e për disa të tjerë, kaq shumë ditë pas ngjarjes nuk mjaftojnë për të harruar dhimbjen.
E kujt i shkonte ndërmend se pasi iu ke thënë “natën e mirë” të afërmve të tu, të nesërmen mund të mos i gjesh më?
Jetojmë çdo ditë duke menduar se ditët nuk mbarojnë kurrë. Duke menduar se të ardhmen e kemi në dorën tonë dhe se nuk ka tronditje që mund të na e ndërpresë sigurinë. Jetojmë çdo ditë duke menduar se ne e kontrollojmë të ardhmen, se gjithçka që ekziston i bindet vullnetit tonë, se as lëkundje, as tërmet, as shembje muresh nuk do të na i shkatërrojnë planet tona për të nesërmen.
Kur menduam se e kishim kaluar atë pengesë – ne që dolëm nga ajo tronditje të pavrarë e të pahumbur në vitin që pasoi, – erdhën të tjera situata të vështira cilat i jetojmë dhe sot e kësaj dite.
Një virus, me një tjetër lloj tronditje, ka shtuar frikë e dhimbje.
Kësaj radhe, nuk ishim vetëm ne shqiptarët që u tronditëm. E gjithë bota ka shtangur dhe ka ndaluar.
Duket se nuk duam të mësojmë prej vuajtes. Por ndoshta vuajtja do të na mësojë diçka: se ne nuk e kontrollojmë dot të ardhmen, se nuk e kemi në dorë sigurinë tonë.
E keqja që solli dhimbjen që përjetuam nuk na ka mundur dot. Në ato ditët pas tërmetit, dëgjonim histori të njerëzve të zakonshëm, të cilët e lanë rehatinë e tyre për të ndihmuar vuajtësit. E keqja nuk na mundi dot.
Por përtej mësimit që të jemi gati për të ndihmuar njëri-tjetrin, ndoshta një mësim tjetër, të cilin e harrojmë sapo kalojnë situatat e vështira, ka të bëjë me të gjeturit e përgjigjes se kush e kontrollon të ardhmen tonë.
Një i urtë i famshëm ka shkruar librin e titulluar “Nga Predikuesi”, i cili gjendet në Bibël, në Dhiatën e Vjetër. Autori pasi shqyrton me kujdes detajet e jetës në këtë botë, të mirat e të këqijat e saj, ditët e mira e të këqija, gjërat për të cilat falenderojmë e gjërat të cilat i mallkojmë, ndërsa vëzhgon njerëz të cilët marrin pushtet për të ndryshuar situatën e të cilët përfundojnë njëlloj të këqinj si ata të cilët i kanë rrëzuar nga pushteti, ky i urtë, na fton të shqyrtojmë jetën tonë përpara se të kenë ardhur ditët e vështira.
“Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: “Nuk gjej asnjë kënaqësi në to,” para se të errësohet dielli, drita, hëna dhe yjet, dhe të kthehen retë pas shiut; në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen dhe portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu, dhe gjithë bijat e këngës dobësohen; kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës; kur bajamja lulëzon, karkaleci është një peshë, dhe dëshira pakësohet, sepse njeriu shkon në banesën e tij të përjetshme dhe qaramanët enden rrugëve. Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus, dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë…. Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut”. Predikuesi 12: 1-7, 13
Ne nuk i ndalojmë dot tërmetet. As pandemitë. Nuk jetojmë dot me iluzionin se kemi gjithçka në dorë. Ndërsa ndihmojmë njëri-tjetrin në kohë nevoje, kemi në dorë që tani të fillojmë të kërkojmë Krijuesin tonë, “përpara… se pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë”, qoftë nga tërmeti, nga virusi, nga një aksident apo nga ajo që e trajtojmë si “vdekje normale”.

Ki frikë nga Perëndia! Besoji Atij. Ai e ka të ardhmen në dorë!

* Në përkujtim të viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit. Në lutje për familjarët e tyre. Mirënjohje për njerëzit që ndihmuan në ato ditë të vështira.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...