Zemra e problemit…

adminDhiata e Re0 Comments

“Vëllezër, ju lutem në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të jeni të gjithë në një mendje për atë që thoni dhe të mos keni përçarje mes jush, por të jeni të bashkuar në mendime dhe arsyetime. Sepse, vëllezërit e mi, disa nga njerëzit e Kloesë më njoftuan se mes jush ka grindje…” I Korintasve 1:10-11

Zakonisht, kur mendojmë për grindje dhe përçarje, nuk na shkon mendja te kisha. A nuk duhet të jenë vendet ku mblidhen ndjekësit e Jezusit, vende ku shfaqet dashuria e Krishtit?

Por Apostulli Pal, duket se nuk ka këtë pritje për vëllezërit dhe motrat e tij në kishën e Korintit. Vetëm disa vite pasi kisha ka filluar të mblidhet në Korint, besimtarët janë të ndarë e të përçarë… Disa e konsiderojnë veten ndjekës të Palit, disa të Apolit, disa të tjetrë ndjekës të Pjetrit, edhe mes tyre, patjetër, ka një grup që ndjekin “vetëm Jezusin”.

Cila është arsyeja që besimtarët përfundojnë të përçarë? Ka arsye plot për të mos qenë dakord në çdo gjë me njëri tjetrin, por mosdakordësia e thjeshtë për çështje të ndryshme, nuk duket arsye e mjaftueshme për përçarje.

Cila është zemra e problemit që sjell përçarje?

Studiuesi i njohur i Dhiatës së Re, Craig Blomberg thotë se:

“me siguri përçarja e tyre ishte e damkosur nga arroganca në veprim dhe papjekuria. Dhe siç ndodh shpesh, më të papjekurit shpesh mendojnë se janë plotësisht të pjekur.”

Kur lexova komentin e tij, ndjeva një fije gëzimi brenda vetes, sepse, natyrshëm mendova, se unë nuk i shërbej përçarjes, sepse unë jam realisht i pjekur! Plotësisht i pjekur!

Pastaj… duke ndjekur linjën e logjikës së tij, u kujtova që duhet të ruhem nga një qëndrim mashtrues në zemrën time. Po sikur të mos jem i pjekur aq sa duhet, edhe të shtirem përpara të tjerëve si i pjekur?

Në konteksin e letrës, besimtarët e papjekur që mendojnë se janë të pjekur, kanë një veshje përulësie në dukje: ata janë ndjekës të liderit më të mirë (Jezusi, Pali, Apoli, Kefa – të gjithë janë emra të lakmuar për t’i ndjekur!), janë ushtrues të dhuntive më të mira (flasin gjuhën e engjëjve, e kësisoj janë një shkallë më lart se tokësorët), nuk preken lehtë nga mëkati (disa madje janë të zhytur në mëkat seksual më keq se bota, e megjithatë lavdërohen në sheshe sikur ata janë pa mëkat!), kanë liri të bëjnë çfarë të duan, sepse shenjtorët nuk mund ti kufizosh!

Të gjitha këto, e të tjera, janë rreziqe që na çojnë drejt përçarjes.

Kur fillojmë ta dallojmë veten, për aftësitë dhe dhuntitë tona superiore, në dallim nga të tjerët që nuk e njohin Jezusin aq sa ne, nuk i binden aq shumë sa ne, nuk e ndjekin aq larg sa ne, atëherë jemi në rrezikun e papjekurisë që e shet veten si mësues të ligjit.

Zemra e problemit është një zemër që gënjehet lehtë… duke hequr dorë nga një përkushtim për t’ia dhënë gjithçka që kemi Jezusit, edhe kishës, si trupi i tij.

Vetë Apostulli Pal, ashtu si korintasve, na bën thirrje edhe ne sot, që të heqim dorë nga lartësimi i vetes, edhe të fokusohemi te domethënia e vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit.. Aty gjendet çelësi i unitetit aq shumë të dëshiruar… Aty, te vdekja dhe ringjallja e Jezusit, bota gjen turpin dhe humbjen, ndërsa ne gjejmë çelësin i zgjidhjes së problemit të zemrës!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...