Zemra juaj mos u trondittë!

adminBibla, Dhiata e ReLeave a Comment

“Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!” Gjoni 14:1

Sa kishte kaluar mesnata.

Koka më shumë se dhimbte rëndonte. Ime shoqe me zë të rënduar më thotë që të shkojmë të spitali. Është nata e pestë radhazi që mësyjmë dyerve të spitalit. Dyshimi për Covid-19 e bën turnin e natës të shikojnë me një sy tjetër. Pikërisht atë shikimin qe je i padëshiruar.

Tensioni i gjakut të saj ka vajtur në zonën e kuqe. Në errësirën e natës, zymtësinë e repartit të urgjencës ku shumë jetë varen në fije të perit, mendimi për vdekjen zë kokën time të lodhur dhe më largon pagjumësinë. Po sikur? Po sikur?

Momente të vështira të jetës na përballin shpesh me pyeteje të tilla. Hija e zezë e vdekjes futet pa ftuar në të çarën më të vogël që gjen në frikën a pasigurinë tonë.

Viti 2020 ka patur plot ditë tilla për ne shqiptarët e për gjithë botën.

Teksa pres në hollin e urgjencës më kujtohen fjalët e ungjillit që kisha lexuar një ditë më parë. “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!” Gjoni 14:1

Jezusi e bën këtë deklaratë në darkën e fundit para kryqëzimit. Ai po përgatitej të kryer veprën sublime për të cilën kishte ardhur. Të mposhte armikun më të madh, tmerrin e njerëzimit, vdekjen. Të jepte jetën që ta rimerrte atë.

Kur ai thotë, zemra jote mos u trondittë, në fakt po thotë që ne na tronditet zemra shpesh në këtë botë. Madje më shpesh sesa jemi gati ta pranojmë. Dhe jo vetëm nga frika e vdekjes.

Zemra jonë tronditet nga sëmundja që na mundon dhe nuk shqitet, nga një i afërm që vuan, nga një tjetër që humbim.

Zemra jonë ligështohet nga shoku apo shoqja e jetës që nuk duket në horizont, nga fëmija që nuk po ngjizet, nga fëmija që ka marrë rrugën e keqe, nga fëmija që nuk vjen në shtëpi. Zemra jonë ligështohet nga prindi që nuk do t’ia dijë, nga prindi që vuan, nga prindi që nuk rron. Zemra jonë ligështohet nga dëshirat e zemrës që nuk plotësohen. Zemra jonë ligështohet nga indiferenca e atyre që na rrethojnë, atyre që mendojmë se i duam, atyre që mendojnë se na duan.

Zemra jonë ligshtohet sa herë vendosim në qendër të saj dikë apo diçka tjetër që nuk është Zoti.
Sepse asgjë e kësaj bote nuk e përmbush atë veç Atij që e krijoi. Madje asgjë e kësaj bote nuk mund ta trondisë zemrën tonë fatalisht nëse i besojmë Atij që e ka krijuar.

Jezusi i inkurajon dishepujt, të cilëve do t’u tronditej zemra thellë tre ditë më vonë kur ai të kryqëzohej; duke i siguruar që ata që besojnë e qëndrojnë në të, do kenë një vend, një banesë në përjetësi në praninë e tij.

“Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.” Gjoni 14:2

Do të ishin pikërisht ata dishepuj zemërmpakur ditën e kryqëzimit, që më pas do të merrnin zemër në Krishtin e ringjallur. Ata do ti dëshmonin botës një guxim të pashoq në kumtimin e lajmit të mirë, që Krishti aq fort na deshi sa që dha jetën e tij që ne te kishim jetë. Ai mposhti vdekjen. Ai është më ne në këtë jetë dhe Ai do na presë matanë.

Po ty cfarë ta ka tronditur zemrën këto kohë? Çfarë të jep zemër?

P.S. Ora shënon 4 pas mesnate! Kthehemi në shtëpi. Në agun e mëngjesit veror kujtohemi edhe njëhere se paqja e jetës sonë nuk varet rrethanat.

Rreth Autorit
mm

Agustin Prenga

Agustin Prenga ka mbaruar studimet për drejtësi. Eshtë drejtues i lëvizjes rinore IJR Student për Evropën Lindore dhe Rusinë, degë e Institutit Jeta e Re. Shkruan dhe mban leksione mbi çështje të besimit, zhvillimit personal dhe udhëheqësisë. Ka pasion të ndihmojë të rinjtë të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre. I pëlqejnë librat, futbolli, ecja në natyrë dhe udhëtimet. Është shijues i thekur i kafes, ideve dhe humorit. Mund të lexoni rregullisht shkrimet e Agustinit te faqja imakiato.com.

E mirepresim komentin tuaj...